8704fc65898dc07aa745db75b92105c7c2cf0869 (1).jpg

Telefonat celularë dhe shëndeti

Ekspozimi ndaj fushave të frekuencave radio (RF) nga telefonat celularë matet nëpërmjet nivelit specifik të përthithjes (SAR) – sasia e energjisë së një fushe RF e përthithur nga trupi i njeriut, e shprehur në Watt për kilogram (W/kg).

SAR është matësi i pranuar ndërkombëtarisht për matjen e ekspozimit ndaj fushave elektromagnetike dhe vlera e SAR, e përcaktuar nga teste të standardizuara, e një telefoni celular të caktuar shfaqet në informacionin për sigurinë e produktit që shoqëron telefonin e blerë. Shumë prodhues e ofrojnë këtë informacion në faqet e tyre të internetit ose në Faqen e Forumit të Prodhuesve të Telefonave Celularë Mobile Manufacturers Forum – SAR Information.

Udhëzimet e Komisionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen nga Rrezatimi Jo-Jonizues (ICNIRP) ICNIRP EMF Guidelines (PDF) rekomandojnë një nivel maksimal të vlerës së SAR prej 2 W/kg për çdo telefon celular. Të gjithë telefonat celularë që funksionojnë me vlera poshtë këtij niveli konsiderohen të sigurt për përdorim. Disa vende si Kanadaja, Korea e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara kanë miratuar kufij më të ulët të niveleve të SAR prej 1.6 W/kg për kokën dhe trupin. Telefonat celularë testohen për t’u siguruar se janë në përputhje me nivelet e SAR në shtetet ku do të tregtohen.

Komisioni Federal i Komunikimeve në Shtetet e Bashkuara (FCC) sqaron në dokumentin shpjegues për konsumatorin se çfarë janë vlerat SAR FCC Consumer Facts on SAR. Në këtë dokument thuhet se:

“Vlerat e SAR janë një tregues i rëndësishëm për të vlerësuar ekspozimin maksimal të mundshëm ndaj energjisë RF të një modeli të caktuar telefoni celular, por një vlerë e vetme e SAR nuk na jep informacion të mjaftueshëm në lidhje me nivelin e ekspozimit në kushte tipike përdorimi në mënyrë që të bëjmë një krahasim të besueshëm të modeleve të ndryshme të telefonave celularë.”

Niveli i ekspozimit varet nga distanca ndërmjet individit dhe telefonit celular dhe nga niveli i energjisë RF që transmeton telefoni celular. Telefonat celularë përdorin gjithmonë minimumin e energjisë për të ofruar një shërbim, prandaj ekspozimi konkret varion vazhdimisht në bazë të një sërë faktorësh:

  • Distanca ndërmjet individit dhe aparatit celular
    Fushat RF janë shumë më të dobëta edhe në një largësi të shkurtër nga aparati celular. Mbajtja larg trupit e aparatit celular dhe përdorimi i kufjeve ose autoparlantit e redukton ndjeshëm ekspozimin.

  • Distanca nga stacioni bazë i rrjetit celular
    Sinjali nga stacionet bazë dobësohet në varësi të distancës së telefonit celular, që do të thotë se fuqia e fushës RF nga telefoni celular duhet të rritet për të siguruar komunikimin me stacionin bazë të rrjetit celular.

  • Pengesat ndërmjet përdoruesit dhe stacioneve bazë
    Nëse një ndërtesë, kodër ose një pengesë tjetër ndodhet ndërmjet telefonit celular dhe stacionit, sinjali nga stacioni bazë i rrjetit celular mund të jetë më i dobët.

  • Shërbimi që përdoret
    Një thirrje zanore shkakton ekspozim më të madh ndaj fushave RF sesa dërgimi i një mesazhi, një e-maili, një fotografie, përdorimi i internetit, përdorimi i televizorit dhe shkarkimet e ndryshme. Arsyeja është se kur bëjmë një thirrje zanore zakonisht e mbajmë telefonin afër kokës, ndërkohë që kur dërgojmë mesazhe dhe e-maile apo shohim televizor telefoni qëndron larg trupit. Gjithashtu, kohëzgjatja e një thirrjeje është më e madhe sesa koha për dërgimin e një mesazhi apo një e-maili, pra rrit ekspozimin.

Vodafone u kërkon prodhuesve të matin sasinë e energjisë së çliruar nga një fushë frekuencash radio (RF) dhe të përthithur nga trupi i njeriut – niveli specifik i përthithjes (SAR) të aparateve celulare – kur përdoren në vesh ose pranë trupit.

Standarti i Komisionit Ndërkombëtar Elektroteknik (IEC) për testimin e aparateve celulare në afërsi të trupit IEC Official Website u publikua në prill të vitit 2010, por ende nuk është bërë pjesë e Rregulloreve të Bashkimit Europian. Ne kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për miratimin e tij në nivel Europian. Derisa ky standart të miratohet, do të vazhdojmë të kërkojmë testimet me anë të metodës FCC.