Njoftim nga Vodafone Albania per SMS & telefonatat mashtruese!
29 Prill 2022
SMS & telefonatat mashtruese vijojnë të jenë një shqëtësim global për operatorët e telekomunikacionit. Kohët e fundit, kanë qarkulluar disa “SMS”, të cilat ju adresohen pajtimtarëve apo përdoruesve të telefonisë mobile, e cila i njofton ata se janë përzgjedhur për të fituar një vend punë apo ofertë dhe i fton këta përdorues të kryejnë komunikime me numra të huaj. Këto komunikime kategorizohen si “phishing sms”.
Pas kontaktimit të këtyre numrave nëpërmjet Whatsapp/telefon, përpiqen që të fusin pajtimtarin/përdoruesin në një skemë mashtruese, me qëllime përfitmi si psh: i kërkohen pagesa të supozuara për nisjen e procedurave të punësimit etj. Në mbyllje të këtij procesi numri që ka kontaktuar pajtitarin zhduket dhe është i paarritshëm.
Kjo skemë, nuk është asgjë tjetër veçse një skemë e avancuar e njohur botërisht si “Phishing” (“peshkimi”). Qëllimi i kësaj skeme mashtruese është gjenerimi i të ardhurave në favor të “keqbërësit”, duke dëmtuar pajtimtarët dhe përdoruesit.
Këto raste mashtrimi të identifikuara nga Vodafone Albania raportohen dhe ndiqen në bashkëpunim me strukturat ligjzbatuese.
Vodafone Albania dëshiron t’ju kujtojë të gjithë pajtimtarëve disa nga rregullat për shmangien e mashtrimeve “Phishing”;
1. Mos i ktheni përgjigje SMS-ve/Telefonatave të dyshimta!
2. Kontrolloni gjithnjë burimin e dërguesit!
3. Mos dërgoni kurrësesi të dhëna personale lidhur me llogaritë tuaja bankare dhe asnjë pagesë nëpërmjet kompanive që ofrojnë shërbime financiare (që gjurmohen me vështirësi) në rast se merrni SMS apo telefonata të kësaj natyre.
4. Nëse keni një telefonatë të humbur nga një numër ndërkombëtar (apo ndonjë format i pazakontë), mos u tundoni t'i telefononi.
5. Bllokoni telefonatat ndërkombëtare! Për tu siguruar që mos të bini pre e mashtrimit, ju mund t'i thoni kompanisë tuaj të telefonisë të bllokojë të gjitha telefonatat ndërkombëtare.
6. Mbylleni telefonatën menjëherë! Nëse i jeni përgjigjur një telefonate për të cilën dyshoni se ëshë mashtruese, sigurohuni që ta ndërprisni menjëherë.
7. Në rast të dyshimit për nje telefonatë mashtruese, mund të telefononi pa pagesë në numrat e telefonit 140 / 149 dhe të raportoni rastin.
Vodafone Albania, garanton të gjithë përdoruesit e rrjetit të vet se masat për bllokimin e thirrjeve mashtruese jo vetëm që azhornohen në mënyrë të rregullt por gjithashtu ato trajtohen me prioritet duke u raportuar edhe në organet ligjzbatuese.