E pranishme në këtë takim drejtoreshë e Fondacionit Vodafone, Lisa Felton, theksoi rëndësinë e teknologjisë si mjet për fuqizim dhe mbrojtje: “Ne si Vodafone besojmë se përmes teknologjisë mund të adresojmë çështje që lidhen me dhunën me bazë gjinore, abuzimet, dhe çështje që lidhen me arsimin dhe me shëndetin. Aplikacioni Bright Sky është një shembull konkret që u ofron vajzave dhe grave që përjetojnë dhunë informacione, mbështetje dhe këshilla praktike për t’u larguar nga situata të rrezikshme.”- tha drejtoresha e Fondacionit Vodafone. Valbona Kuko, drejtoreshë për Shqipërinë e Fondacionit Westminster për Demokraci, theksoi se dhuna me bazë gjinore ndaj grave në politikë mbetet një nga sfidat kryesore që pengon përfshirjen e tyre në jetën publike. “Fondacioni Westminster për Demokraci ka vite që trajton dhe mbështet aktorët e politikës, shoqërinë civile e median, për ta kthyer çështjen e dhunës me bazë gjinore në politikën e ditës dhe për të ndërgjegjësuar politikanët dhe aktivistët, biznesin, median se çështjet e barazisë gjinorë nuk janë çështje familjare. Ato duhet të trajtohet me politikëbërje, me legjislacion të mirë dhe me instrumente të qenësishëm për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve. Aplikacioni Bright Sky, por edhe platforma që Fondacioni Westminster për Demokraci ka ngritur, për të raportuar dhunën ndaj vajzave dhe grave, janë instrumente, të cilat duhet të përdoren, për raportim të çështjeve që institucionet përgjegjëse duhet t’i adresojnë dhe t’i zgjidhin.”- përfundoi Kuko.