Pyetje të shpeshta

Pyetje të shpeshta

Si mund ta di nëse një faqe interneti apo pajisje është e përshtatshme për moshën e fëmijës tim?

Kjo është shpesh një zgjedhje personale për ju si prind, meqënëse ju e njihni zhvillimin e fëmijës suaj dhe dini se çfarë kufijsh duhet të vendosni. Por, për t’ju ndihmuar ju, shumë nga ofruesit kryesorë të internetit, celularëve, lojërave dhe rrjeteve sociale kanë kufij minimalë moshe për çdo shërbim të plotë të tyre ose seksione të tij.

Pse është e paligjshme të shkarkosh muzikë nga disa faqe interneti dhe nga disa të tjera jo?

Shumë faqe interneti, si iTunes, ofrojnë shërbime të shkarkimit të ligjshëm të muzikës, që sigurojnë që honorarët t’iu kalohen muzikantëve dhe palëve të tjera përkatëse. Nga ana tjetër, ka edhe një numër faqesh interneti dhe programesh software, të tilla si rrjetet peer-to-peer (P2P), të cilat ofrojnë përmbajtje muzikore pa pagesë, pa lejen e krijuesit dhe pa i shpërblyer ata - nëse shkarkoni muzikë për të cilën nuk keni marrë leje nga ata, ju jeni duke shkelur ligjin.

Si mund të krijoj një profil në një rrjet social?

Shkoni në një faqe interneti të rrjetit social si Facebook dhe regjistrohuni falas. Do t’ju kërkojnë të dhëna personale, të tilla si emri juaj, adresa e postës elektronike dhe data e lindjes. Pastaj mund të krijoni një faqe në internet që përmban informacion mbi interesat dhe fotot e videot, nëse dëshironi, dhe mund të vendosni kontakte ose lista ‘miqsh’. Nëse hasni vështirësi, shkoni në seksionin ‘Ndihmë’ të faqes së internetit të rrjetit social.

Si mund të zgjedh një aparat celular për fëmijën tim?

Ka kaq shumë aparate celularë dhe programe çmimesh, saqë mund të jetë shumë e vështirë të zgjedhësh. Flisni me operatorin tuaj të rrjetit celular – ata duhet të jenë në gjëndje që t’ju japin këshilla në lidhje me çka është e përshtatshme për fëmijë.

Çfarë duhet të di në lidhje me përdorimin me tepri të teknologjisë?

Mund ta keni vënë re se djali ose vajza juaj është i/e dhënë pas një sporti të caktuar, pas një bande të caktuar apo preferon të konsumojë vetëm disa ushqime të caktuara. Në të njëjtën mënyrë, ata mund të pëlqejnë të navigojnë në internet, të përdorin telefonin e tyre celular, të luajnë me lojën e tyre elektronike apo të dëgjojnë muzikë në “MP3 player”.

Veçanërisht për adoleshentët, navigimi në internet është kthyer në një kërkesë të kohës, – hyrja në faqen e Facebook-ut apo ndonjë rrjeti tjetër social kur ata kthehen nga shkolla është njësoj si kur ju vraponit për në shtëpi për t’ju telefonuar miqve tuaj kur ishit në moshën e tyre – dhe loja me PSP, Wii apo Xbox tashmë është bërë pjesë e rutinës së darkës apo fundjavës për shumë fëmijë.

Në përballje me gjithmonë e më shumë pajisje, produkte, shërbime dhe opsione, të rinjtë në përgjithësi e përdorin teknologjinë për qëllime pozitive dhe në mënyrë të  ekuilibruar. Por disa prindër kanë vënë re që fëmijët dhe adoleshentët kalojnë shumë orë në internet, me aparatet e tyre telefonike apo të lojrave dhe ju mund të shqetësoheni se fëmijët tuaj po përdorin teknologjinë me tepri.

Ndërkohë që ndihmoni djalin apo vajzën tuaj të menaxhojë dhe rregullojë sjelljen dhe aktivitetet e tij në botën reale, ju duhet ta drejtoni atë në udhëtimin e tyre në hapësirën dixhitale. Në rast se nuk jeni të sigurt se nga t’ia filloni, mund të përdorni opsionet programuese, në rast se ato janë të disponueshme, si psh. "Programin për Mbikqyrjen nga Prindërit" në mënyrë që t’i ndihmoni të menaxhojnë kohën dhe sigurinë e tyre në internet.

Në raste të rralla fëmijët dhe adoleshentët fiksohen pas teknologjisë, veçanërisht pas lojrave kompjuterike.

Në vitin 2008, një psikiatër i njohur në Shtetet e Bashkuara, Dr. Jerald Block, sugjeroi që  përdorimi me tepri i internetit që përfshin lojrat, ndërveprimin seksual si dhe dërgimin e e-maileve/mesazheve, duhet të njihet si një çrregullim klinik.

Dr. Block sugjeroi katër karakteristika të zakonshme të përdorimit të tepruar të internetit:

Përdorimi i ekzagjeruar – humbja e sensit të kohës apo neglizhenca në të ngrënë apo në të fjetur;
Simptomat e Tërheqjes – si psh. ndjesi të mërzisë, tensionit apo depresionit;
Toleranca – dëshira për një kompjuter më të mirë ose për të kaluar më shumë orë në internet;
Sjellje Negative – si psh. debate, gënjeshtra, izolim dhe lodhje.
Edhe nëse fëmija juaj nuk shfaq asnjë nga këto  karakteristika, ju mund të shqetësoheni se ata po kalojnë shumë kohë në internet si dhe nuk po përqëndrohen në interesat e tyre apo detyrat e shkollës. Gjithashtu, ju mund të shqetësoheni se ata krijojnë shoqëri vetëm në faqet e rrjeteve sociale dhe jo në këndin e lojrave të shkollës.

Mund të jetë e vështirë ta dallosh se kur entuziasmi normal për pajisjet dixhitale është shndërruar në diçka më shqetësuese. Për këtë arsye, është e rëndësishme të bisedoni me djalin apo vajzën tuaj vazhdimisht në lidhje me hapësirën e tyre dixhitale si dhe të ndërmerrni disa hapa të thjeshtë në mënyrë që t’i ndihmoni ata të ekuilibrojnë kohën që kalojnë mes teknologjisë me aktivitetet e botës reale.

Çfarë mund të bëj në rast se jam i/e shqetësuar se fëmija im është apo mund të jetë duke përdorur teknologjinë në mënyrë të tepruar?

Për t’ju ndihmuar të shmangni përdorimin e tepërt të teknologjisë:

Ashtu siç vendosni rregulla të familjes në botën reale, vendosni dhe kufizime të qarta për fëmijën tuaj kur bëhet fjalë për përdorimin e internetit, telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera – si psh. sa kohë iu lejohet atyre të përdorin kompjuterin, çfarë lloj faqesh zyrtare ata mund të vizitojnë, cilat lojra iu lejohet të luajnë, sa telefonata/mesazhe mund të bëjnë me telefonin e tyre celular si dhe sa mund të shpenzojnë në shërbimet ekstra (si psh. shkarkime të zileve të celularit me vlerë të shtuar);
Aktivizoni opsionet e "Programeve për Mbikqyrjen nga Prindërit"

Çfarë duhet të di në lidhje me telefonat celularë?

Telefonat celularë janë një realitet për shumë të rinj dhe telefonat inteligjentë (smartphone), si psh. Android dhe iPhone po bëhen veçanërisht popullorë.

Si prind, pa dyshim që ju pëlqen të dini se djali apo vajza juaj mund t’ju kontaktojë si dhe ju mund t’i kontaktoni ata në çdo kohë në telefonin e tyre celular.

Për fëmijën tuaj, celulari është shumë i rëndësishëm për të mbajtur kontakt me miqtë, për të luajtur me lojra zbavitëse etj. Në rast se kanë një telefon inteligjent (Smartphone) ka gjasa që t’a përdorin për të dërguar dhe marrë e-maile, për të azhornuar profilin e tyre në rrjetin social apo për të postuar komente, për të parë video, për të naviguar në internet, si dhe për të bërë fotografi. Telefonat inteligjentë kanë mbërthyer imagjinatën e njerëzve gjatë viteve të fundit, duke qenë se ju japin mundësinë të keni një mini-kompjuter në xhepin tuaj. Nuk bëhet fjalë vetëm për kryerjen e thirrjeve dhe dërgimin e mesazheve; tani ju e përdorni celularin tuaj për aplikacione më interesante (apps), për të hyrë në internet, për të qënë në kontakt me miqtë tuaj nëpërmjet mënyrave të reja, për të naviguar drejt vendeve të reja dhe shumë më tepër.

Duke qenë se celularët po bëhen gjithnjë e më të fuqishëm – me memorie më të madhe dhe fuqi më të madhe procesimi – ju dhe fëmijët tuaj keni mundësi t’i përdorni ato edhe në shumë mënyra të tjera.

Përveç këtyre aspekteve pozitive, ju duhet të jeni të ndërgjegjshëm për rreziqet e mundshme të sigurisë që mund të vijnë nga telefonat celulare dhe interneti, me të cilat mund të përballen fëmijët tuaj. Për shembull, fëmijët tuaj mund të:

Aksesojnë materiale me përmbajtje të papërshtatshme dhe të dëmshme në rrjet apo dikush mund t’iu dërgojë një mesazh apo fotografi që mund t’i mërzisë;
Shpenzojnë shuma të mëdha, duke kryer një sërë telefonatash apo duke u regjistruar në shërbime me vlerë të shtuar, si psh. shkarkime të zileve të telefonave;
Marrin mesazhe kërcënuese nëpërmjet celularit të tyre;
Humbin apo t’ju vjedhin celularin;
Përdorin celularin e tyre për të bërë foto të zhveshur apo foto intime të vetes së tyre, si dhe për t’ia dërguar të dashurit apo të dashurës (e njohur si sexting);
Përdorin celularet e tyre ndërkohë që ecin më këmbë apo me biçikletë, gjë e cila rrit rrezikun e përfshirjes në një aksident. Në rast se ata përdorin celularin e tyre duke drejtuar makinën, ata janë duke shkelur ligjin;
Lokalizohen nga njerëz të panjohur për shkak të shërbimit të lokalizimit në celularin e tyre;
Përdorin celularin e tyre në vende publike ku mund të mos jetë e përshtatshme si dhe të bëjnë foto të njerëzve të ndryshëm pa marrë lejen e tyre.
Duke njohur këto rreziqe të mundshme për përdoruesit më të rinj të celularëve, ofruesi i celularit tuaj duhet të jetë në gjendje t’ju ofrojë këshillim, mbështetje si dhe opsione programimi, nëse është e mundur, në mënyrë që t’ju ndihmojë t’i minimizoni këto rreziqe.

Çfarë mund të bëj në lidhje me telefonat celularë?

Përpara se t’i blini fëmijës suaj një telefon celular – duhet të siguroheni se aparati i telefonit dhe plani tarifor janë të përshtatshëm për moshën dhe zhvillimin e tyre;

Vendosni nëse dëshironi që ata të përdorin shërbimin me parapagim - sipas së cilit ata paguajnë vetë për telefonatat dhe mesazhet - apo nëse preferoni të nënshkruani një kontratë pajtimtari, në mënyrë që të merrni një faturë të detajuar mujore – ne do të këshillonim këtë të fundit, veçanërisht për fëmijët e vegjël;
Përpiquni të kuptoni se si djali apo vajza juaj mund të kërcënohet me anë të teknologjisë (apo mund të kërcënojë dikë tjetër) me anë të celularit duke lexuar artikullin tonë në lidhje me kërcënimin nëpërmjet teknologjisë;
Mësoni në lidhje me publikimin e materialeve me përmbajtje seksuale në artikullin tonë në lidhje me eksplorimin e identitetit seksual – është një tendencë në rritje tek të rinjtë, me anë të së cilës ata shkëmbejnë foto dhe video nudo apo intime me anë të mesazheve dhe e-mailit, dhe kjo është një temë për të cilën duhet t’iu flisni fëmijëve tuaj (sidomos adoleshentëve);
Kontrolloni nëse celulari i fëmijës suaj përmban aplikacionin Bluetooth – në rast se po, është e këshillueshme që t’a çaktivizoni atë, sidomos për fëmijët e vegjël. Lexoni artikullin tonë në lidhje me aplikacionin Bluetooth për më shumë informacion;
Merrni informacion në lidhje me shërbimet e lokalizimit, në mënyrë që t’i diskutoni ato me fëmijën tuaj;
Në rast se jeni të shqetësuar në lidhje me efektin që mund të kenë telefonat celularë mbi shëndetin e fëmijës suaj, ju mund të merrni informacionet më të fundit nëpërmjet artikullit tonë telefonat celularë dhe shëndeti.
 

Çfarë janë videot online?

Aksesi i internetit broadband (me brez të gjerë), aparatet celularë dhe faqet e internetit që shpërndajnë video kanë ndryshuar imazhin e videos.

Jo më pak se pesë vjet më parë, ju mund të keni parë një film apo regjistruar një program televiziv në VCR-në (Regjistrues videokasetash) tuaj ose mund të keni bërë video tuajat në shtëpi duke përdorur një video kamera. Kur bëhet fjalë për video digjitale ka shumë terminologji të reja, si:

Klipet: Këto janë seksione të shkurtra video, zakonisht të marra nga një pjesë më e gjatë (si një film, video muzikore apo program televiziv) ose të krijuara nga regjisorë amatorë (të quajtur user-generated content, apo përmbajtje e krijuar nga përdoruesit). Ka pasur një sukses të madh të videoklipeve në linjë që prej vitit 2005 në sajë të faqeve të internetit (website) si YouTube

Streaming: Kjo është një mënyrë e shpërndarjes së pamjeve video tek ju live (drejtpërdrejt) apo sipas kërkesës (pasi është transmetuar) - BBC iPlayer është një shembull i video streaming.

Vlogs: Këto janë video blogs (ditarë elektronikë videosh) në internet, ku dikush mund të filmojë eksperiencat që kanë pasur në jetën reale dhe t’i ngarkojnë ato në rrjet që t’i shohin të tjerët.

Çfarë duhet të di për videot në internet?

Djali apo vajza juaj mund ta përdorë internetin për të parë videot e grupeve të tyre të preferuara, për të parë një program televiziv të cilin e kanë humbur apo të shijojnë videoklipet e krijuara nga miqtë e tyre; ata mund të argëtohen duke bërë videot e tyre, të miqve dhe familjarëve në aparatet e tyre fotografike digjitale apo celulare dhe t’i postojnë ato në internet. Nuk ka dyshim se videoja është një formë e shkëlqyer argëtimi dhe nxit krijimtarinë, por si me të gjithë përmbajtjet e tjera digjitale, janë disa gjëra për të cilat ju duhet të jeni të vetëdijshëm si prind.

Përmbajtja e disa videove mund të jetë e papërshtatshme për t’u parë nga fëmijët e vegjël - duke ditur këtë, shumë nga faqet kryesore të internetit që shpërndajnë video kanë një kufi minimal moshe dhe disa prej tyre ofrojnë dhe filtra, në mënyrë që ju të mund të kufizoni përmbajtjen që sheh fëmija juaj.
Nëse fëmija juaj krijon dhe publikon video në internet, ata duhet të kuptojnë se çdokush mund t’i shikojë dhe që ato mund të jenë gjithmonë të aksesueshme në internet.
Privatësia dhe siguria e fëmijës suaj mund të rrezikohet nga diçka që ata zbulojnë në një video për veten e tyre – kjo mund t’i bëjë ata të prekshëm për shembull nga bullistë, keqbërës apo njerëz që dërgojnë postë elektronike apo tekste mesazhesh të padëshiruara (spammers).
Shumë prej faqeve kryesore të internetit që shpërndajnë video kanë publikuar: "Kushtet e Përdorimit" dhe "Udhëzimet e Komunitetit" dhe disponojnë ekipe me staf për shqyrtimin e videove dhe filtrave familjarë për të ndihmuar që faqet e internetit të tyre të bëhen më të sigurta e zbavitëse për fëmijët dhe të rriturit. Ata nxisin përdoruesit e tyre të raportojnë çdo gjë të papërshtatshme, në mënyrë që të mund të hetojnë dhe të marrin masa, si heqja e një videoje apo mbyllja e llogarisë së dikujt.

Çfarë mund të bëj në lidhje me videot on line?

N.q.s fëmija juaj shikon video online


Shpjegojini përse është e rëndësishme që ata t’i përmbahen aksesit sipas kufijve të moshës në faqet (sitet) që shpërndajnë video si YouTube - është në të mirë të tyre, për të ndihmuar në mbrojtjen e tyre nga shikimi i videove të papërshtatshme apo të dëmshme. Nëse mësoni se fëmija juaj është nën moshën minimale për të aksesuar një faqe të veçantë interneti që shpërndan video, ju duhet të jeni të aftë që të kontaktoni me faqen (sitin) për të anulluar regjistrimin e tyre.
Nëse jeni të shqetësuar në lidhje me llojet e videove që djali apo vajza juaj mund të jetë duke parë, konsideroni të mbikqyrni përdorimin prej tyre të televizorit, filmit dhe faqeve të internetit që shpërndajnë video si dhe të shfrytëzoni maksimalisht "Programet për Kontrollet nga Prindërit", "Kodimet" dhe "Kërkimin e Sigurt" nëse janë të disponueshme . Për shembull, nëse ata shikojnë video në YouTube, zgjidhni "Mënyrën e Sigurt" (Safe Mode) në faqen e internetit dhe, nëse familja juaj ka një fjalëkalim në YouTube, kyçeni atë në shfletuesin e internetit tuaj.
Lexoni së bashku "Kushtet e Përdorimit" ose "Udhëzimet e Komunitetit" mbi faqet e internetit që shpërndajnë videot që ata përdorin. Nëse dikush në familjen tuaj shikon një video që ju mendoni se bie ndesh me ato, ju mund ta raportoni atë për shqyrtim (shpesh i quajtur “flagging”). Kërkoni për seksionet ‘Ndihmë’, ‘Siguri’ ose ‘Kushtet e Përdorimit’ në faqen e internetit për detaje se si mund të raportoni diçka tek ata.

Nëse fëmija juaj bën video dhe i ngarkon ato në internet


Mësojini ata të ‘mendojnë përpara se të postojnë’. Pyetini ata: A do të donin që mësuesi/një punëdhënës i ardhshëm/një person krejt i panjohur ta shihnin videon e tyre? A mundet që videoja e tyre të rrezikojë privatësinë e tyre apo t’i bëjë të prekshëm nga bullistët ose keqbërësit? Do të donin ata që videoja e tyre të ishte e disponueshme në internet gjatë gjithë jetës së tyre?
Inkurajojini ata të përdorin mjete të integruara në faqet e internetit që shpërndajnë video në mënyrë që ata të mund t’i shënojnë videot e tyre si ‘private’ - në këtë mënyrë vetëm miqtë e tyre dhe njerëz që ata zgjedhin për të shpërndarë, mund ta shohin atë;
Shpjegojuni se sa e rëndësishme është që të mos përfshijnë asnjë informacion personal si emri i tyre, numri i celularit dhe fotografi të shtëpisë së tyre në videot që ata krijojnë (dmth. gjithçka që do të ndihmonte një të panjohur për t’i gjurmuar);
Të siguroheni që të marrin lejen e çdokujt në video përpara se ta publikojnë atë - jo të gjithë duan të jenë të famshëm;
Në qoftë se ata marrin një video nga dikush tjetër (p.sh. nëpërmjet postës elektronike apo mesazhit) që tregon dikë që është viktimë bullizmi, inkurajojini ata që t’ju bëjnë me dije dhe mos ta kalojnë videon tek askush tjetër;
Shpjegojuni atyre se nuk duhet të postojnë video që tregojnë dhunë të panevojshme apo sjellje të papërgjegjshme, të tilla si abuzimi me substancat dhe drejtimi i rrezikshëm i makinës;
Bisedoni me ta për të drejtën e autorit - ata duhet të postojnë vetëm video që janë krejtësisht krijim i tyre. Nëse videot e tyre përfshijnë për shembull televizion ose klipe muzikore, ato mund të jenë në shkelje e të drejtës së autorit;
Ashtu si ju i mësoni të tregojnë respekt në botën reale, inkurajoini të respektojnë njerëzit e tjerë në hapësirën digjitale (p.sh. komente në lidhje mbi një video që ata kanë bërë).
Bëjini të ditur djalit apo vajzës tuaj se duhet të vijnë te ju në rast se dikush i kërcënon apo i mërzit për shkak të një videoje që kanë postuar në internet, në mënyrë që të mund t’i ndihmoni për të ndërmarrë veprimin e duhur.
Të lutem prit